HËNA E RE – Tema nga numri i Marsit 2024

SHPEJTIMI I EZANIT PËR NAMAZ TË AKSHAMIT

 

Shkruan: Shaban Tairi

 

Ezani si një simbol islam dhe një adhurim i cili bën lajmërimin e besimtarëve muslimanë për hyrjen e kohës së namazit, ka qenë traditë që nga koha e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe ka vazhduar gjatë gjithë kohës, deri në ditët e sodit. Ezani si adhurim ka qenë praktikë e rregullt në Xhaminë e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe nëpër xhamitë e gjithë botës, madje sipas një hadithi, tregohet se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem kur zhvillonte luftëra me ndonjë vendbanim, ka pritur deri në ezanin e sabahut që të sheh se vallë mos është vendbanim musliman, e nëse nuk ka dëgjuar ezanin, atëherë ka sulmuar.

 

Nëpër gjitha librat e jurisprudencës islame, gjejmë kapituj të tërë të cilat flasin mbi historikun dhe rregullat e ezanit, por gjatë leximit të kësaj literature, askund nuk vërehet ndonjë përjashtim i ezanit të akshamit ndaj kohëve tjera, sidomos dallimi i ezanit të akshamit me thirrje në një shpejtësi enorme për dallim nga namazet tjera.

 

Nëpër të gjitha xhaminë tona, gati pa përjashtim, është bërë traditë që ezani i akshamit të thirret shpejtë, bile nëse të zë ezani i akshamit duke qenë rrugës, është shumë vështirë që të arrish në xhami në kohë për ta kapur namazin me imam që në tekbirin fillestar.

 

Fillimisht duhet ditur se nuk ka ndonjë argument nga sheriati, se ezani i akshamit duhet të thirret më shpejt se në kohët tjera, bile nëse lexojmë literaturën islame, do të shohim se ezani i akshamit thirret njëjtë sikur ezani në kohët tjera, kështu që nuk ka nevojë që të thirret ezani i akshamit më shpejtë, sepse nuk ka ndonjë argument sheriatik i cili na detyron që të veprojmë në mënyrë të tillë dhe as që është vepruar kështu në gjeneratat e para.

 

Nëse do të shohim sipas nevojës së xhematit, do të kishim ardhur në përfundim se më mirë dhe më e logjikshme, do të kishte qenë që ezani i akshamit të thirret më ngadalë se në namazet tjera, pasi te namazet tjera, para se të falim namazin farz, kemi edhe namaze sunet, gjatë faljes së të cilave, ai i cili vjen me vonesë në xhami, do të ketë mundësinë të arrijë me kohë në farze, kurse në namazin e akshamit, është e kundërta, sepse pas ezanit të akshamit, menjëherë fillon namazi farz dhe nuk ka sunete para farzit të akshamit, kështu që, ata të cilët nuk janë në xhami, nuk do të mund ta arrijnë namazin prej në tekbirin fillestarë.

 

Disa muezinë arsyetohen se këtë e veprojnë gjatë muajit Ramazan, që njerëzit mos i vonojnë për iftar edhe që muezini të arrijë në shtëpi dhe të hajë iftar me familjen e tij, kështu që muezini e thirr ezanin e akshamit më shpejtë se zakonisht! Por, kjo nuk është e vërtetë, sepse ne shohim se ezani i akshamit si në muajin Ramazan, po edhe jashtë Ramazanit thirret me shpejtësi të njëjtë dhe kjo ka ngelur traditë nëpër shumë xhami, andaj nuk bëhet fjalë vetëm për një periudhë të caktuar, por është bërë rregull të cilës i përmbahen të gjithë muezinët, e nëse ndonjëri prej muezinëve e thirr më ngadalë ezanin, atëherë do të kritikohet si mos njohës i rregullave dhe që dëshiron të tërheq vëmendjen e njerëzve duke e zgjatur më shumë se të tjerët ezanin!

 

Disa të tjerë, e arsyetojnë këtë shpejtësi në ezanin e akshamit, me pretendimin se në kohën e akshamit, do të bëhet kiameti! Por, nëse do t`u parashtrosh pyetje dhe t`u kërkosh argument për këtë teori, asnjëherë nuk do të jenë në gjendje të sjellin ndonjë argument, sepse nuk është përmendur në Kuran apo nëpër hadithe se ndodhia e kiametit do të ndodhë në kohën e akshamit.

 

Nga ana tjetër kemi hadithe të cilat potencojnë se nuk bëhet kiameti përderisa në tokë thuhet Allah (Muslimi, “Sahih”, nr.148), ndërsa në një hadith tjetër potencohet se kur do të ngritet Kurani dhe Islami, e njerëzit nuk do të dinë se çka është namazi e agjërimi (Ibni Maxheh, “Sunen”, nr. 4049) atëherë do të bëhet kiameti. E si mund të bëhet kiameti përderisa ka xhamia në të cilën përmendet emri i Allahut xh.sh.?! Si mund të bëhet kiameti kur ka miliona besimtarë musliman që bëjnë dhikër dhe tesbih?! Si mund të bëhet kiameti në aksham përderisa ende thirret ezan dhe falet namaz? Si është e mundur të mendojmë se do të ndodhë kiameti përderisa ende në botë ka muslimanë?! Madje, namazi i akshamit nuk falet në të njëjtën kohë në të gjitha vendet e botës. Nëse për shembull te ne falet akshami, diku tjetër në botë në atë kohë falet namazi i sabahut e diku namazi i drekës e kështu me radhë. Pra, kjo është një qasje e gabuar dhe nuk duhet të mendojmë se do të bëhet kiameti përderisa ka muslimanë në botë. E kur edhe besimtarit të fundit, do t`i merret shpirti dhe mbi tokë të kenë ngelur njerëzit më të prishur, atëherë mbi ta do të bëhet kiameti!

 

Sa i përket ndodhisë së kiametit, në një hadith na bëhet e qartë se Dita e Kiametit do të ndodhë ditën e premte (Muslimi, “Sahih”, nr.854) e nëse do të jetë kiameti ditën e xhuma, përse të thirret akshami më shpejtë në ditët tjera?!

 

Pra, të gjitha këto arsyetime të cilët i paraqesin njerëzit dhe disa muezinë, janë qesharake, vetëm e vetëm për të arsyetuar një lëshim teknik të vetin. Kështu që duhet të kemi kujdes të gjithë besimtarët musliman, që jemi nëpër xhami, duke filluar nga hoxhallarët, këshillat e xhamive, muezinët, etj, që ta ndryshojmë këtë praktikë të nxitimit në ezanin e akshamit dhe ta thërrasin ezanin me shpejtësinë normale sikur thirrja e ezanit për kohët tjera, që besimtarët musliman që frekuentojnë xhamitë, të mund të jenë në kohë në xhami dhe jo të nxitojnë duke vrapuar për ta arritur imamin, sepse vrapimi për të shkuar në xhami nuk është një veprim i pëlqyeshëm.

Comments are closed.