Islami, Muslimanët dhe sfidat e kohës në mijëvjeçarin e fundit

HËNA E RE - Tema nga numri i Prillit 2024

Islami, Muslimanët dhe sfidat e kohës në mijëvjeçarin e fundit

Shkruan: Mr. Nashit Ferati

Islami është fe e cila nuk i lejon metodat detyruese në shpjegimin përhapjen dhe kumtimin e fesë. Islami nuk lejon detyrimin në fe dhe mundësia duhet t’iu lihet në dispozicion jomyslimaneve që ta studiojnë islamin dhe ta ndjekin drejtimin e tij. Kur’ani thotë: “Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota…” (2:256).

Gjithashtu në Kur’anin Fisnik ekzistojnë edhe disa versete të tjera në këtë drejtim: “Shpjegoni rrugën e Allahut me mirësi dhe me shembuj më të mirë“, po ashtu, “Përgëzoni mos i mërzisni të tjerët”, “Lehtësoni dhe mos vështirësoni“.

Besimtarët nuk duhet të përdorin kurrë dhunën dhe as ndonjë lloj presioni fizik apo psikologjik. Atyre gjithashtu nuk u lejohet të përdorin epërsinë e mundshme materiale për të detyruar dikë në çështje të fesë. Ashtu siç thërret në butësi, islami e tërheq vërejtjen për t’u ruajtur prej dhunës në thirrje dhe sjellje, thërret edhe në mëshirë duke e konsideruar atë thelb të moralit, ndalon nga vrazhdësia, e përbuzë atë dhe i përbuzë ata që janë të këtillë në formën më të ashpër. Islami është alternativë për të gjithë njerëzit, që dëshirojnë të studiojnë dhe të dinë për të vërtetën. Islami për shpjegimin e vetvetes zgjedh një rrugë paqësore, zgjedh metodat e bindjes e jo ato të detyrimit.

Për më tepër, All-llahu i drejtohet Profetit duke i tërhequr vërejtjen që të ketë kujdes duke i kujtuar se ai nuk është dërguar për të bërë presion mbi njerëzit: “E ti pra, këshillo, se je vetëm përkujtues. Ti ndaj tyre nuk je mbizotërues.” (Kur’an, 88:21,22).

Një arsye tjetër e cila i mbajti larg muslimanët nga përdorimi i forcës kur ua komunikonin njerëzve fenë e tyre, ishte “konsiderata për njerëzimin” e prezantuar në Kur’an.

Me fillimin e mijëvjeçarit të ri nuk munguan simptomat e krizës të cilat stimuloheshin nëpër media e që mund shkaktonin përhapjen e histerisë për shkak të fundit, për shkak të frikës para mijëvjeçarit të ri. Ekzistojnë parashenja të cilat tregojnë se në shekullin e ardhshëm islami mund të zhvillohet në një rrezik të madh.

Një sistem i ri global duket në horizont, por është një sistem, karakteristikat e së cilit kanë akoma nevojë t’i zhvillojnë definicionet, ngase kuptueshmëria, pasiguria dhe paparashikueshmëria janë shqetësime të sotme. Ne gjendemi në një botë me sfida të jashtëzakonshme dhe të gjithë jemi të prekur nga kërcënime të reja të sigurisë dhe kërcënime të vjetra që po evoluojnë në një mënyrë komplekse dhe të paparashikuar.

Shtyllat e grupimeve globale që dallohen me: kërcënime ekonomike dhe sociale, përfshirë varfërinë dhe sëmundjet infektive vdekjeprurëse, konflikte ndërshtetërore dhe rivalitet, dhunë të brendshme, përfshirë luftërat civile, rënie të shteteve dhe gjenocid, armë nukleare radioaktive, kimike dhe biologjike, terrorizëm, krim të organizuar ndërkombëtar. Tani për tani nuk ka dyshim se cilët janë fituesit më të mëdhenj në lojën e globalizmit – të pasurit dhe të fuqishmit (pra, ata të cilët tanimë sot janë konkurrentë), gjithashtu, nuk ekziston kurrfarë dyshimi për atë se kush janë humbësit më të mëdhenj – ata që janë shumë të varfër dhe të dobëtit (ata të cilët nuk posedojnë kurrfarë gjasash që në këto kohë të garojnë me më të mirët, me më të mençurit, me më të fuqishmit dhe me ata të cilët janë më të pasur).

Bota vazhdimisht është në lëvizje. Njeriu duket se po fiton gjithnjë e më shumë autonomi, ngase edhe i ekspozohet një lirie më të madhe. Zhvillimi shkencor dhe zbulimet teknologjike racionalizimin dhe prodhimtarinë i kanë bërë dy simbole të kohës sonë, saqë njeriu shpesh e ngatërron faktin e modernizimit me atë që duhet të jetë. Ne do t’i kthehemi këtij ngatërrimi në të kuptuar i cili nuk është as i parrezikshëm e as i lirë. Mbetet që ideja e modernizimit sot ka një ndër domethëniet më pozitive. T’i dalësh zot asaj do të thotë të pranosh parimet e modernizimit, racionalitetin, ndryshimin dhe lirinë.

Në të vërtetë është një çështje e paqartë të dish nëse në fund të këtij mileniumi të dytë islami dhe muslimanët do të hipin në trenin e zhvillimit. Është interesante të krahasosh botën perëndimore, e cila vazhdimisht po trazohet nga gjallëria shkencore dhe teknologjike, me botën islame, e cila pa ndryshuar fare mbetet e ngrirë në kujtimet e kohëve të lulëzimit, duke u kapur pas traditave të vjetra të cilat e kombinuan kulturën lokale me referencat Kur’anore. Mbase njeriu mund të pyesë nëse refuzimi i zhvillimit ose modernizimit është pjesë e pandashme e islamit. I këtillë është kontrasti, siç kanë pohuar disa, se është e detyrueshme ta “modernizosh islamin” nëse do të ketë ndonjë mundësi të shikosh muslimanët se si jetojnë në harmoni me kohën e tyre dhe në mënyrë që më në fund ata të mund të adaptohen.

Nuk do të mjaftohemi vetëm me këtë “realitet” që na e imponon drejtpërdrejt Perëndimi dhe tiranët që ai krijon e nxit. Në fakt kjo është parapërgatitja për rezultatin që do perëndimi, me qëllim që të krijoj varësi në botën Islame. Po kjo mund të jetë edhe më shumë se vrasësi sepse ata dëshirojnë të ‘anulojnë’ qenien tonë të shquar, gjë që e dëshmojnë shkrimet e politikanëve dhe mendimtarëve të tyre.

Qëllimi dhe kërkesa e tyre është zhveshja jonë jo vetëm nga “arma e luftës”, por edhe nga autonomia ekonomike apo dëshirat politike. Por, pas të gjitha këtyre qëndron konflikti i civilizimit historik që synon zhveshjen tonë nga islami si identitet i dalluar i umetit tonë dhe armët të cilat umeti i ka përdorur për tu mbrojtur shekuj me radhë. Kështu , mendimtarët dhe politikanët duan t’i shkatërrojnë ato armë të islamit përmes shekullarizimit që futi konflikte të shumta dhe të gjata e të dhimbshme për të bërë me ne atë që bënë me krishterimin e tyre, të cilin e shndërruan nga një fe, në një trashëgimi të  thjeshtë.

Kjo është një luftë që Perëndimi e zhvilloi kundër nesh në drejtime dhe fronte të ndryshme, me mjete të llojllojshme, shkallë-shkallë, që të arrijë qëllimet dhe objektivat e tij. Ky është rasti me islamin dhe muslimanët në fundin e këtij shekulli.

 

 

Comments are closed.