HËNA E RE – Tema nga numri i Marsit 2024

 

ALKOOLIZMI SI ANOMALI DHE QËNDRIMI I FESË ISLAME RRETH SAJ 

 

Mr. Sc. Ali ef. Sadiku, Instituti Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup

 

Jetojmë në botën moderne e cila ofron plot mundësi, por gjithashtu edhe plot rreziqe. Fëmijët dhe të rinjtë janë pjesa më e ndjeshme e popullatës. Nga të gjitha problemet shoqërore, sociale e shëndetësore, që ata i kërcënon është edhe alkooli. Duke ditur se edhe në vendin tonë, është në rritje numri i të rinjve që zgjedhin mënyra të gabuara jetese, nevoja për edukim për këto probleme bëhet e domosdoshme.

Problemet e shëndetit dhe pasojat e tyre, mund të rregullohen në mënyra të ndryshme, por zgjidhja më e mirë gjithsesi është parandalimi, prandaj dhe thuhet se më mirë është një problem të parandalohet se sa të shërohet! Kjo punë nuk është aspak e lehtë, por aktivitetet parandaluese mbesin thelbi i veprimeve në luftën kundër fenomenit të varësisë së alkoolit.

Problemi i përdorimit të alkoolit, ditëve të sodit, është bërë një nga problemet madhore në botë, veçanërisht për të rinjtë, të cilët sapo dalin nga adoleshenca dhe hyjnë në mjedisin social të të rriturve, bien ndesh me fenomenin e alkoolizmit. Nuk janë të pakta rastet e të rinjve, të cilët gjithnjë e më shumë janë shtuar edhe në mesin tonë dhe që nën efektin e alkoolit bëhen agresivë dhe shfaqin sjellje violente në shoqëri. Në shumë raste, vetëvrasjet apo tentativat për vetëvrasje ndodhin pikërisht te të rinjtë që kanë rënë nën prehrin e alkoolit.[1]

 

Definicioni i alkoolit

Alkoolizmi definohet si sëmundje kronike dhe progresive, e cila përparon me marrjen e sasive të mëdha të etil alkoolit, në formë të pijeve alkoolike ose si pjesë e substancave tjera.

            OSHB-ja (Organizata Shoqërore Botërore) në Kopenhagë në vitin 1951 dha këtë definicion: “Alkoolistët janë individët që konsumojnë rregullisht jashtë mase pije alkoolike, duke u bërë kështu shkallë shkallë të varur nga alkooli, duke shfaqur çrregullime eksplicite shoqërore ose manifestime çrregulluese ndaj shëndetit të tyre fizik, psikik dhe në marrëdhëniet e tyre me individët e tjerë si dhe në sjelljen e tyre të mirë socialo-ekonomike.[2]

Alkoolizmi është një helmim i ngadalshëm, pikënisja e të cilit është e padukshme, por turbullon thellësisht dhe pa pushim të gjitha funksionet e organeve tona. Helmimi nga alkooli hyn në sasi të vogla, por të përsëritura, e shfaq aktivitetin e tij duke shkatërruar shëndetin, duke asgjësuar inteligjencën dhe duke plagosur moralin. Alkooli e pezmaton stomakun. Shter lëngjet e tij, trash paretet, paralizon lëvizjet, ndalon sekrecionet dhe shkatërron gjithë aparatin e tretjes. Alkooli vepron mbi mëlçinë e zezë duke e kongjestionuar dhe pezmatuar, prandaj shpeshherë kemi komplikacione të rënda, si infeksioni i mëlçisë së zezë, zmadhimi i saj që ndikon në zhvillimin e kancerit.

Mendohet se shkaqet për paraqitjen e alkoolizmit janë kombinim i më tepër faktorëve: fiziologjik, psikologjik, social dhe gjenetik. Alkoolizmi karakterizohet me varshmëri emocionale dhe shumë shpesh me varshmëri fizike e cila përfundon me dëmtime të trurit dhe me vdekje. Alkoolizmi konsiderohej si simptoma e “stresit social” ose si “sjellje adaptive e gabuar” gjatë ballafaqimit me probleme.[3]

 

Rreziqet nga alkooli

Alkooli ka efekt direkt toksik (helmues) mbi organizmin. Ushqimi jo i rregullt, në periudhat e pirjes, e thellon gjendjen shëndetësore .

Në mëlçi, alkooli i konsumuar, shkakton dëmtime të qelizave hapatike, dëmtim që rritet në kohë duke u varur nga doza e konsumuar përditë dhe nga veçoritë fiziologjike të individit. Njerëzit që pinë prej vitesh alkool, që nuk ndiejnë gjë, papritur, një ditë gjenden para një fakti të hidhur. Mëlçia e tyre ka marrë fund duke u kthyer në një mëlçi cirrotike ose kanë shqetësime të lehta që nuk ia vënë veshin, por në këtë mënyrë ata bëjnë puthjen e parë me vdekjen. Edhe pankreasi pëson dëmtime nga alkooli.[4]

Përdorimi i zgjatur i alkoolit e dëmton në mënyrë kronike pankreasin deri në atë shkallë sa ai nuk arrin të sekretojë sasinë e duhur të enzimave për të kryer të plotë procesin e tretjes së ushqimeve.

Kështu që përdoruesit kronikë të alkoolit, me kohë e çojnë personin drejt demencës (skizofreni, marrëzi), degjenerimit mendor, etj. Pra, alkooli dëmton pa përjashtim të gjitha organet e trupit.

Alkooli është një substancë që mund të krijojë varësi. Përdorimi dhe për më tepër abuzimi mund të shkaktojë një sërë problemesh personale, familjare, financiare, ligjore, në shkollë, sociale, aksidente dhe vdekje.

Alkoolizmi shkakton çrregullime psikike, fizike dhe mendore. Pirja e alkoolit shkakton: ethe, dhimbje të trupit, ankth, djersitje, tension, dhimbje barku, çrregullime në kujtesë dhe në të mësuar, sëmundje të rënda mendore (psikoza), zvogëlim të indit të trurit, inflamacione nervore, pamundësi për të qëndruar në këmbë dhe për të ecur, dëmtim të mëlçisë, të lukthit, zorrëve dhe pankreasit, të cilat në përgjithësi janë të pashërueshme.

Dehja e vazhdueshme nga alkooli shkakton vdekjen e qelizave nervore në tru, dëmtimin e sistemit të tretjes, dëmtim të mëlçisë, bllokimin e enëve të gjakut e që mund të përfundojë me goditje në zemër apo goditje në tru.[5]

Ekzistojnë 3 faza që shkojnë nga euforia deri tek përgjumja :

– Faza e eksitimit – përqindja e alkolemisë është me pak se 0,7 g/l ne gjak. Personi bëhet euforik, llafazan dhe mjaft familjar. Ndërkohë vigjilenca, perceptimi, kujtesa, ekuilibri apo gjykimi janë të prekura.

– Faza e dehjes – përqindja e alkolemisë është nga 0,7 – 2g/l në gjak. Personi ka shqetësime të ekuilibrit dhe e ka të vështirë të flasë. Kjo është periudha e çrregullimit të sistemit të vigjilencës dhe e plogështisë.

– Faza e përgjumjes – përqindja e alkolemisë është mbi 2g/l ne gjak. Pas një periudhe eksitimi, ai bie në gjumë. Nëse përqindja është mbi 3g/l, i dehuri rrezikon të bjerë në gjendje koma, prandaj ai duhet dërguar menjëherë në urgjencën e një spitali.[6]

 

Roli i alkoolit në shpërbërjen e familjes

Nuk ka dyshim se dhënia pas alkoolit shkakton probleme të shumta të cilat shkatërrojnë familjen, sado e madhe të jetë kompaktësia e saj. Problemet më të rëndësishme që sjellin deri te shpërbërja e familjes së alkoolistit janë këto:

-Rritja e përqindjes së shkurorëzimeve në familjet që kanë probleme me dhënien pas alkoolit të njërit ose të të dy prindër-ve (bashkëshortëve). Në Britani përqindja e shkurorëzimeve ka arritur në 20%, ndërsa alkooli dhe problemet që shkakton ai kanë qenë shkaku i parë i shkurorëzimit. Ndërkaq, kjo përqindje në ish-Bashkimin Sovjetik ka arritur në 67%. Doktor Malme nga Suedia përmend se meshkujt te të cilët ka pasur pak rritje të enzimave GGT, që tregon se pinë alkool me masë, i kanë ndërprerë masat për shkurorëzim, ndërsa vetëm 3% e meshkujve, që nuk kanë pasur kurrfarë teprice enzimash GGT (që pinë alkool), i kanë hyrë shkurorëzimit;

-Mosinteresimi i babait alkoolist ndaj shtëpisë dhe familjes së tij, për shkak të mungesës së përhershme nga shtëpia;

-Përhapja e dukurisë së përdorimit të dhunës së burrit ndaj gruas dhe fëmijëve, që e shton urrejtjen e tyre kundrejt tij. Kështu, hulumtimi, i cili ka përfshirë rreth 100 gra të ekspozuara ndaj keqtrajtimit fizik nga burrat e tyre, ka zbuluar se 52 gra janë rrahur nga burrat e tyre – kur ata ishin në gjendje të dehur. Raporte të shumta përmendin se 74% e atyre që u kanë shkaktuar vuajtje të dhimbshme grave të tyre kanë qenë alkoolistë. Në Britani, një numër i madh i tyre kanë bërë keqtrajtime seksuale dhe trupore të fëmijëve duke qenë nën ndikimin e alkoolit, kurse përqindja në SHBA arrin deri në 80%.

-Mungesa e kujdesit dhe e butësisë ndaj fëmijëve. Për më tepër, disa prindër i keqtrajtojnë fëmijët seksualisht dhe fizikisht, dhe ndoshta nuk u japin edhe ushqimin e domosdoshëm, ngase e gjithë brenga e babait-alkoolist është se si të arrijë deri të pija, madje edhe në kurriz të fëmijëve.

-Përhapja e sëmundjeve shoqërore në mesin e anëtarëve të familjes, e ndoshta edhe përhapja e devijimeve morale, siç është dhënia pas drogës, zhytja në detin e pijeve dehëse dhe veprimet e tjera. [7]

Dhuna në familje dhe alkooli shpesh shfaqen së bashku. Gati gjysma e të gjitha grave, viktima të dhunës në familje, pësojnë si rezultat i konsumimit të alkoolit.

Madje flitet për një në katër raste, kur njëri nga partnerët gjatë ushtrimit të dhunës është nën ndikim të alkoolit.  Kështu thotë një studim i  Zyrës Federale të Shëndetit Publik (BAG).[8]

Me dhunë në familje nënkuptohet dhuna fizike, psikologjike dhe seksuale. Dhuna është e përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë.

Çdo i katërti person i prekur nga dhuna në familje bën një jetë të vështirë dhe është i papunë ose i varur nga ndihma sociale.

 

Alkooli dhe problemet në punë

Buletini special për alkoolin i botuar nga Fakulteti Mbretëror për mjekë të praktikës së përgjithshme shkruan se në Britani është bërë një studim që ka përfshirë një numër të madh alkoolistësh, me ç‘rast është zbuluar se alkooli ka qenë shkaktari kryesor i problemeve të ndryshme. Disa prej këtyre problemeve janë:

– 63% e këtyre personave janë pushuar nga vendet e tyre të punës;

– janë zvogëluar përfitimet te 43% e punëtorëve;

– 43% e punëtorëve kanë përjetuar fatkeqësi në punë.

Për sa i përket Bashkimit Sovjetik, përqindja e punëtorëve alkoolistë ka arritur në 37%.

Dëmi që u shkakton alkooli punëdhënësve, që lidhet me ndërmarrje e fabrika, me punëtorë e administrata mund të thuhet si vijon:

– mungesa e përhershme nga puna;

– joaktiviteti (joproduktiviteti);

– paqëndrueshmëria në punë;

– fatkeqësitë dhe lëndimet në punë;

– konfliktet mes punëtorëve dhe administratorëve;

– përhapja e mashtrimeve dhe e intrigave ndër punëtorët.[9]

Në raportin për alkoolin, të përgatitur nga Fakulteti Mbretëror Britanik për mjekë, në vitin 1987 thuhet: “Dy hulumtues, Holtmani dhe Bartsheli, kanë vlerësuar humbjet e gjithmbarshme të shkaktuara nga alkooli në afro 650 000 000 funta në vitin 1977 dhe në rreth 1 000 000 000 funta në vitin 1984.

Për sa u përket vlerësimeve të fundit të humbjeve në industrinë britanike nga pasojat e pirjes së alkoolit, ato kapin shumën rreth 641 000 000 funta në vit.”

Në raport më tej thuhet: “Në hulumtimin e ndërmarrë nga Edvardsi dhe bashkëpunëtorët e tij është gjetur se 98 punëtorë të hetuar për shkak të alkoolit kanë munguar nga puna mesatarisht 68 herë në vit. Prej këtyre punëtorëve, 66% kanë mohuar se kanë munguar nga puna çdo të hënë, duke qenë se fundjavën e kalojnë në zbavitje dhe zhurmë.”

Dr. Ipoly Hasz thotë: ’’Alkooli zvogëlon aftësinë në punë, kualitetin e punës, çon deri në mungesë të shpeshtë nga puna, lëndime dhe invaliditet të hershëm.[10]

Dr. Franjo Aç thotë: ’’Për shkak të ndikimit të tij në sistemin nervor, shpejtësia e punës bie, sasia e punës zvogëlohet e kualiteti i punës keqësohet. Punohet më pak dhe më keq.’’[11]

 

Ndikimi i alkoolit në shoqëri

Ndikimin e alkoolit në shoqëri do ta paraqes me vëllimin e problemeve të natyrës ekonomike përmes këtyre të dhënave statistikore:[12]

– një të tretën e kapaciteteve të spitaleve në vendet industriale e zënë të sëmurët nga alkooli. Në Teksas shpenzimet për shërimin e alkoolistëve, humbjet ekonomike të shkaktuara nga humbja e pasurisë, kompensimi dhe rënia e prodhimtarisë në raste të shumta e tejkalojnë fitimin e realizuar nga shitja e prodhimeve alkoolike;

– për sa i përket ish-Bashkimit Sovjetik, një hulumtim ka vërtetuar se fitimi vjetor i Bashkimit Sovjetik nga shitja e vodkës arrin rreth 45 000 000 000 rubla (56 000 000 000$), kurse humbjet ekonomike në Bashkimin Sovjetik për shkak të pirjes së alkoolit arrijnë 180 miliardë rubla (225 miliardë $);

– në Francë, në vitin 1979, është publikuar statistika mjekësore shoqërore-ekonomike, në të cilën thuhet se të ardhurat mesatare të Francës nga prodhimi dhe shitja e pijeve alkoolike kapin shumën rreth 20 miliardë franga franceze. Nga ana tjetër, të ardhurat kombëtare pësojnë dëme, si rezultat i pirjes së alkoolit. Kjo shkakton humbjen e orëve në punë, kështu që përdoren pushimet mjekësore të përkohshme ose të përhershme, po ashtu edhe pagesat e shërbimeve mjekësore, pagesa e spitaleve, mjekëve dhe ilaçeve. E gjithë kjo së bashku kushton 100 000 000 000 franga.

– humbjet e SHBA-ve për shkak të pirjes së alkoolit arrijnë 30 000 000 000$ në vit, kurse humbjet e Britanisë janë 3 000 000 000 funta në vit, përderisa, nga ana tjetër, nga tregtia me alkool Britania fiton 1 700 000 000 funta. Duhet përmendur se statistikat e vitit 1989 kanë dhënë përqindjet e humbjeve ekonomike, meqë humbja e gjithmbarshme e SHBA-ve ka arritur rreth 120 miliardë dollarë në vit. Humbja e Britanisë ka qenë 7 miliardë funta.

Revista britanike për alkoolin (British journal of Addicton), në vitin 1987, ka përmendur se humbjet që kanë rezultuar nga problemet e shkaktuara nga alkool vetëm në vitin 1983 kanë arritur 640 000 000 funta.

Në një raport tjetër, të botuar në këtë revistë në numrin e dytë, thuhet se humbjet e gjithmbarshme për shkak të pirjes së alkoolit vlerësohen rreth 2 000 000 000 funta në vit.[13]

 

Qëndrimi i fesë islame kundrejt alkoolit

Ndalesa e pirjes së alkoolit është vërtetuar me Kur’an, me Sunet dhe me Ixhma (konsensus).

Er-Raziu në “Muhtaru es-sihah”, për pijet alkoolike (ar. hamr) parashtron si vijon: “Ibën El-A’rabi thotë: “Thuhet se pijet alkoolike e kanë marrë emrin “hamr” ngase duke ndenjur janë thartuar (zier ndër vete), ndërsa thartimi i këtyre pijeve është në realitet ndërrimi i erërave të tyre.” Gjithashtu, thuhet se pijet alkoolike e kanë marrë këtë emër ngase ato mbizotërojnë (mbulojnë) arsyen e njeriut. Për gruan e cila e vë velin në fytyrë thuhet “ihtemeret”, ndërsa tahmir do të thotë të mbuluarit. Ajo që deh (hamr) është ajo që mbizotëron (mbulon) arsyen, qoftë ajo në gjendje të lëngët apo të ngurtë, qoftë në formë të ushqimit ose të pijes. Er-Ragib El-Asbahaniu, në veprën “Mufredat el Kur’an”, thotë: “Pijet alkoolike (hamr) kanë marrë emrin “hamr” meqë e mbulojnë arsyen, ndërsa disa njerëz me këtë emër quajnë çdo gjë që të deh.”[14]

Tefsirollogu i mirënjohur Alij Es-Sabuni[15] për ndalimin e verës thotë se shpallja ishte në katër faza. Ajeti parë zbriti në Mekë:

Edhe nga frutat e hurmës dhe të rrushit nxirrni prej tyre pije (lëngje) dhe ushqim të mirë. S’ka dyshim se edhe në këtë ka fakte (mbi fuqinë e Zotit) për njerëzit që kanë menduar.[16] (Nahl 67)

Ajeti i dytë u shpall në Medine:

Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre”. Të pyesin ty edhe se ç’do të japin. Thuaj: “Tepricën”! Kështu ua sqaron All-llahu juve argumentet ashtu që të mendoni (çka është mirë e çka është keq).[17] (El Bekare 219)

            Pastaj vijoi ajeti i tretë:

S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. Kush përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.[18] ( En Nisa 48 )

Dhe, ajetet në fund:

O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?[19] ( Maide 90, 91)

Sejjid Kutubi në kuadër të komentit të ajeteve të ndalimit të alkoolit, ndër të tjera shkruan:

  • Faza e parë ka qenë vetëm paralajmërim për ndalimin e shprehur në fjalët e Allahut xh.sh. në Suren en Nahl e cila u shpall në Meke.
  • Faza e dytë ka qenë vënia në lëvizje e vetëdijes fetare në shpirtrat e muslimanëve përmes sanksionimit (rafitikimit) logjik, për çka në suren El Bekare është shpallur ajeti 219.
  • Faza e tretë ka të bëjë me atë se ka mospërputhshmëri mes namazit dhe alkoolit për çka shpallet ajeti i 43 i Sures En Nisa.
  • Faza e katërt është faza përfundimtare, tani njerëzit ishin plotësisht të përgatitur për dëgjueshmëri. Kështu transmetohet nga Omer ibn El Hatabi r.a. se ai ka thënë: “O Zot, na shpjego se çka është bari i verës”? Andaj u shpall ajeti 219 i Sures El Bekare, Omeri r.a. është ftuar dhe kur e ka dëgjuar këtë ajet ai ka thënë: “O Zot, na shpjego neve për barin e verës”! Me atë rast është shpallur ajeti: 43 i Sures En Nisa. Pastaj, prapë, është ftuar Omeri r.a. dhe kur e ka dëgjuar këtë ajet ka thënë: “Na shpjego neve për shërimin e verës”! Pastaj shpallet ajeti 91 i Sures El Maide. Omeri r.a. përsëri është ftuar dhe kur e ka dëgjuar këtë ajet me brohoritje ka thënë: “Hoqëm dorë hoqëm”![20]

 

Muhamedi a.s., ka thënë: “Allahu ka mallkuar alkoolin, atë që e pi, atë që e shërben, atë që e shet, atë që e blen, atë që e kullon (shtrydhë rrushin, distilon), atë që e ruan, atë që e bartë, atë që i dërgohet, atë që e hanë fitimin nga ai”. (Transmeton Tirmidhiu dhe Ebu Davudi).

Nga nga ky hadith klonkudojmë se i kemi nëntë persona të mallkuar në lidhje me alkoolin:

  1. Konsumuesi i alkoolit,
  2. Shërbyesi i alkoolit,
  3. Shitësi i alkoolit,
  4. Blerësi i alkoolit,
  5. Kulluesi (shtrydhësi i rrushit, distiluesi) i alkoolit;
  6. Ruajtësi i alkoolit,
  7. Bartësi i alkoolit,
  8. Atij që i dërgohet alkooli, dhe
  9. Ngrënësi i fitimit të alkoolit.

 

Transmeton Aishja r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë: “Çdo lloj pije dehëse është e ndaluar.[21]

Transmeton Ibn Umeri r.a. se i Dërguari i Allahut Muhamedi a.s. se ka thënë:  “Çdo pije dehëse konsiderohet alkool, e çdo lloj alkooli është i ndaluar.[22]

Transmeton Xhabir Ibn Abdullahu r.a. se e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. se ky ka thënë në vitin e Çlirimit të Mekës: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar shitjen e alkoolit, cofëtirat, derrin dhe idhujt.” Dikush tha: A mund ta shesim dhjamin e cofëtinës, me të cilin lyhen anijet, lëkurat dhe e përdorin për ndriçim?” Tha: “Jo, kjo është haram!” Pastaj Pejgamberi a.s. ka thënë: “Për këtë shkak Allahu është hidhëruar me hebrenjtë, sepse pasi Allahu ua ndaloi dhjamin e shtazëve, e kanë shkrirë, shitur dhe i kanë shfrytëzuar vlerën e tyre!”[23]

Ebu Se‘idi r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: Në xhenet nuk do të hyjë: ai që e përfol atë që e ka dhënë, ai që është i padëgjueshëm ndaj prindërve dhe pijaneci.!” [24]

Abdullah Ibn Omeri r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush pinë alkool Allahu nuk do t’ia pranojë namazin dyzet mëngjese (ditë), dhe nëse pendohet, Allahu do t’ia falë. Nëse sërish i kthehet alkoolit, Allahu nuk do t’ia pranojë namazin dyzet mëngjese e nëse pendohet Allahu do t’ia falë. Nëse sërish dehet, Allahu nuk do t’ia pranojë namazin dyzet mëngjese, e nëse pendohet Allahu do t’ia falë. Nëse sërish i kthehet alkoolit për së katërti herë, namazi nuk do t’i pranohet dyzet mëngjese, e nëse pendohet, pendimi nuk do t’i pranohet dhe Allahu do ta ngop nga lumi i helmuar (me qelb) (në xhehenem).” [25]

 

 

 

 

 

[1] Droga dhe alkooli, Nikë Rama,fq.4.

[2]  Problemet shoqërore të alkoolizmit, narkomanisë dhe nikotinnizmit në Kosovë, Këshilli redaktues, Lidhja kundër alkoolizmit, narkomanisë dhe nikotinizmit të KSAK, Prishtinë, 1984, fq.70.

[3]  “Alkooli dhe mariuhana drejt kokainës, heroinës dhe prostitucionit“, SH.B’’El Kalem, Gostivar, 2006 , fq.12

[4]  “Alkooli dhe mariuhana drejt kokainës, heroinës dhe prostitucionit“, SH.B’’El Kalem, Gostivar, 2006, fq.19

[5] “Jetë e shëndetshme është stili im pa drogë dhe alkool“,Qeveria e Malit të Zi-Drejtoria për rini dhe sport, BIRO KONTO, Herceg Novi

[6] Droga dhe alkooli, Nikë Rama,fq.5.

[7]  Veset-Alkooli, bixhozi dhe duhani, Grup autorësh, Prishtinë, 2004, f.97

[8]  https://www.albinfo.ch/alkooli-shkaktar-i-dhunes-ne-familje/, shkarkuar më: 22.05.2019

[9] Veset-Alkooli, bixhozi dhe duhani, Grup autorësh, Prishtinë, 2004, f.100

[10] Dr.Ipoly Hasz,’’Alkoolizam’’Klub Ljeçenih alkooliçara-Centar,Rijekë,1974,f.13

[11] Alkooli dhe mariuhana drejt kokainës, heroinës dhe prostitucionit,SH.B’’El Kalem’’Gostivar,2006,f.30

[12] Veset-Alkooli, bixhozi dhe duhani, Grup autorësh, Prishtinë, 2004, f.91

[13]  Veset-Alkooli,bixhozi dhe duhani,Grup autorësh,Prishtinë,2004,f.92

[14]  Veset (alkooli, duhani, bixhozi), Grup autorësh, Prishtinë, 2004, fq.12.

[15]  Ataullah Aliu, Kurani për disa dukuri negative të njeriut, 2006, Logos A, fq.59.

[16]  Nahl 67.

[17] El Bekare 219

[18] En Nisa 48

[19] Maide 90,91

[20] Sejid Kutub, U okrilju Kurana, 7, Sarajevo, 1997, fq.33

[21] Transmeton Buhariu 5585, dhe Muslimi 2001

[22] Transmeton Muslimi 2003-75.

[23] Buhariu

[24] Ahmedi

[25] Tirmidhiu

Comments are closed.