HËNA E RE – Tema nga numri i Marsit 2024

AKREDITIMI I MEDRESESË

 

Shkruan: Fidush Ibraimi

Çështja e akreditimit të Medresesë Isa Beu është një plagë e vjetër të cilën një kohë të gjatë janë munduar ta kurojnë kryetarët e Bashkësisë Fetare Islame. Në fillimet e themelimit të saj pas vitit 1984, nuk ka qenë problem akreditimi saj, e as nevoja që ajo të funksionojë në kuadër të sistemit arsimor të vendit, sepse nxënësit që janë përcaktuar për Medresenë, pas përfundimit të saj, shumë pak prej tyre, apo thuajse aspak nuk kanë dashur të vazhdojnë drejtime tjera pos studimit të fesë. Por me kalimin e kohës, pas daljes së disa gjeneratave dhe plotësimit të nevojave për kuadro fetare, u paraqit dëshira dhe nevoja që kuadrot e reja të përcaktohen për drejtime tjera. Dhe këtu nxënësit që kryenin medresenë hasën problem dhe në dyer të mbyllura në universitetet e vendit. Mbaj mend në vitin 1995, pasi përfundova Medresenë, për shkak të rrethanave të kohës, nuk desha të vazhdoj në ndonjë fakultet të fesë, por u përcaktova për drejtim tjetër, desha të regjistrohem në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Fakultetin juridik. Aplikova, mi pranuan dokumentet pa më thënë asgjë dhe gjithçka ishte në rregull deri një javë para provimit pranues kur më informuan se duhet të paraqitem në departamentin e çështjeve studentore ku më dhanë lajmin e hidhur. Atje më thanë, me keqardhje duhet t’ju informojmë se ju nuk mund të regjistroheni në këtë fakultet. Për një çast mu rrënua gjithë jeta dhe planet që kisha. Kërkova shpjegim për këtë. Më thanë shkurt, shkolla juaj e mesme nuk është e akredituar. Fillimisht ndjeva dëshpërim, ndërsa më pas më kaploi ndjenjë inati dhe zhgënjimi edhe nga institucionet tona fetare. Mund t’i kuptoj të gjithë ata nxënës që kanë kaluar nëpër golgotën e njëjtë. Kur një i ri ballafaqohet me një situatë të tillë, аi gjendet para dy zgjedhjeve, ose të vazhdojë në ndonjë drejtim tjetër pa vullnetin e tij, ose të heqë dorë nga vazhdimi i studimeve. Tani, shyqyr Zotit u bë edhe kjo punë. Nxënësit tashmë nuk do kenë problemin e dyerve të mbyllura. Me pak fat dhe shumë kohë dhe përpjekje nga Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe operativa e BFI-së dhe pak vullnet i mirë, ndihmuar nga rrethanat e volitshme politike, edhe kjo çështje përfundoi. Gjithsesi se kjo ka qenë edhe çështje që ka kërkuar edhe vullnet politik. Kuptohet, meritat më të mëdha për këtë i ka Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai dhe operativa e tij, por kontribut kanë edhe tjerët. Ndërsa nga jashtë, kontributin më të madh, padyshim e ka dhënë Kryeministri, Talat Xhaferi dhe ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri. Kjo punë u bë, por u hap debat, nëse kjo është mirë të bëhet, sidomos për shkak të modifikimeve si në kurikulë ashtu edhe në emërtim. Ata që në një farë mënyre kritikojnë këtë dhe janë “kundër” thonë se ky model që tani është pranuar, ishte ofruar edhe më parë, por ish reisi e kishte refuzuar. Gjithashtu për ta është i papranueshëm ndryshimi i programit mësimor. Droja e disa tjerëve është se më nuk do e kemi atë Medrese klasike me lëndët profesionale si Kurani, Hadithi, Fik’hu, Tefsiri, por do shndërrohet në “gjimnaz fetarë”. Pika tjetër  që u përfol dhe debatua është, se Medreseja përsëri do ngelë shkollë private dhe financimi i mësimdhënësve do vazhdojë të jetë barë e besimtarëve. U përmendën modelet si janë rregulluar medresetë e Kosovës dhe Bosnjës dhe parashtrojnë pyetjen, si ka mundësi atje të rregullohet çështja e medresesë në dobi të besimtarëve dhe financimi i tyre të bëhet nga ana e shtetit, e këtu jo? Fillimisht, Kosova dhe Bosnja janë shtete që në dorë kanë edhe çekanin edhe gozhdën. Pastaj, në rastin tonë gjithë problemet na i shkaktonte paragrafi 2 i nenit 7 të ligjit për arsim të mesëm. Ky paragraf kontestues thotë; “në shkollat e mesme nuk lejohet organizimi i arsimit fetarë”. Kjo për shkak të karakterit laik të shtetit. Problem shtesë ishte edhe qëndrimi i Kishës Ortodokse Maqedonase për shkollën e tyre të mesme. Në fakt ata nuk donin që shkolla e tyre të akreditohet, sepse ata nuk kanë nxënës të rregullt siç kemi ne. Ata “aktivizojnë” shkollën e tyre të mesme vetëm kur kanë nevojë për kuadro të caktuar. Gjitha këto e bënin shumë të vështirë procesin e akreditimit. Por, pas këmbënguljes shumëvjeçare nga ana e BFI-së, ata pranonin një gjë të tillë por me kusht që lëndët mësimore mos jenë vetëm fetare por të jenë të përziera. Ne edhe këtë kusht ua plotësuam dhe nga Drejtoria për zhvillimin e arsimit profesional, Qeveria mori dritë jeshile për miratimin e vendimit. Përsëri nuk u bë. “Kushdo tjetër le ta nënshkruaj, por unë nuk e bëj dot”, këto kishin qenë fjalët e ish kryeministrit në mbledhjen e Qeverisë, i cili kishte pasur frikë të nënshkruajë një vendim të tillë. Por, erdhi kryeministri shqiptarë dhe ja ku jemi tani, kemi vendim të nënshkruar me të cilin Medreseja akreditohet dhe nxënësit do kenë mundësi të zgjedhin, të bëhen hoxhallarë ose të vazhdojnë drejtime tjera, gjë që nuk e kishin të mundur më parë. Tani kur kemi mendime të ndara, ata që e përshëndesin akreditimin dhe tjerë që nuk e duan këtë, duhet të maten gjërat. Me cilin opsion na del hesapi më mirë. Të kemi nxënës, numër gjithnjë në rënie pikërisht për shkak të kësaj, që do mbarojnë medresenë, por do privohen dhe do u mbyllen dyert nëpër fakultetet e vendit, përpos në vendet arabe dhe Turqi, apo nxënës që do mbarojnë medresenë, dhe ata që do duan të bëhen hoxhallarë, kuptohet, me përpjekje dhe kujdes maksimal të mësimdhënësve, sidomos përkushtimin e tyre në lëndët profesionale, do bëhen, ndërsa të tjerët, do mund të regjistrohen ku të duan ata, jashtë dhe këtu, në vendin tonë. Unë jam për të dytën!

Comments are closed.